
Marieli i bindet mamasë, ndahet nga Mirjeta
Më në fund ai të cilin e ëma e këshillonte
“të nxirrte luanin që kishte brenda”, Marieli i BB4, deklaroi: “Jam ndarë nga Mirjeta, tani jemi thjesht shokë”.
Kështu është shprehur ai të enjten në një program radiofonik, ndërsa vetëm tre ditë më parë, çifti së bashku me ish-konkurrentë të tjerë të BB janë parë shumë të lumtur, ndërsa festonin në Vlorë. Mirjeta, vajza që ka lënë përkohësisht Londrën për Shqipërinë, pati thënë se mes saj dhe Marielit gjërat ishin të paqarta dhe ndaj mezi po priste që ai të vinte nga Italia, në drejtim të së cilës u largua menjëherë pas finales së BB; me qëllim që të sqaroheshin.
Kuptohet që me “sqarim” çifti paska nënkuptuar ndarjen, pasi me sa duket në këtë distancë paksa të zgjatur e në komunikimin e munguar, “marrëdhënia” – nëse mund të quhet e tillë, nuk ka funksionuar. Në një intervistë që dha për gazetën shqiptare “Standard” pas daljes nga BB, Mirjeta Bajramaj qe shprehur se ishte shumë e dashuruar me Mariel Shehin dhe se do të donte shumë të vazhdonte atë marrëdhënie që e kishin nisur brenda reality show-t më të ndjekur në Shqipëri. Gjatë aventurës së tyre, u pa se çifti pati një kundërshtar të fortë, të ëmën e Marielit, Majlindën, e cila edhe sot e kësaj dite nuk dihet për ç’arsye iu kundërvu aq hapur Mirjetës.
Ndoshta ngaqë vajza nga Shkodra ka pasur ndonjë histori dashurie më parë për të cilën është shprehur edhe në BB pa doreza. Gjithsesi, po t’i referohemi komenteve të fansave, pjesa më e madhe e tyre janë shprehur kundër vendimit për t’u ndarë, ose më saktë kundër Marielit, i cili duket se ka qenë iniciatori i ndërprerjes së kësaj marrëdhënieje.